Në Shkodër lindi at Aleks Baqli, klerik katolik, drejtues i Shoqnisë Antoniane, sekretar i Provincës Françeskane Shqiptare. Kreu gjimnazin “Illyricum”, më 1939. Studimet e larta për teologji dhe filozofi i kreu në Siena të Italisë. U shugurua më 28 qershor 1942. Qe profesor i stilistikës dhe i historisë së Mesjetës e asaj Moderne në Liceun “Illyricum” (Shkodër), jepte dhe lëndën e dogmës dhe të moralit në shkollën e lartë të teologjisë ndër fretër. Shkroi dramën “Skanderbeu”, që u luajt disa herë në Shkodër përpara vendosjes së komunizmit. Shërbeu për shumë vite në kishën e Gjuhadolit e më pas në atë të Arrës së Madhe të Shkodrës. Ishte dëshmitar i vendosjes së armëve në kishë nga Sigurimi, në nëntor 1946. Për këtë arsye u arrestua më 11 nëntor të vitit 1946 dhe u akuzua për “agjitacion e propagandë dhe përpjekje për rrëzimin e pushtetit popullor me armë”. U lirua më 1956. U arrestua sërish më 1976 dhe u dënua me dhjetë vjet heqje lirie. U lirua më 1987. Pas rihapjes së kishave, rifilloi shërbimin në kapelën e varrezave në Shkodër. Më pas shërbeu edhe në disa kisha të ndryshme të qytetit e të disa fshatrave përreth. U nda nga jeta në vitin 1993. U varros në varrezat e Rrmajit, në Shkodër. (Në fotografi: Aleks Baqli)
Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. I, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2012, faqe 152–153.
Fotografia: © Xhoxhi L., arkivi vetjak.
Përpunim grafik: AHCF




