Në Berat lindi Mehmet Ali Vrioni, atdhetar, personalitet politik i Rilindjes Kombëtare. Në kohën e Krizës Lindore (1875–1881) u lidh me Abdyl Frashërin dhe u bë një nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Ishte anëtar i Komitetit Shqiptar të Janinës, që u formua në maj 1877 dhe i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare (dhjetor 1877). Shoqëroi Abdyl Frashërin në bisedimet që u zhvilluan me përfaqësuesit e Athinës, në korrik dhe dhjetor 1877, për lidhjen e një aleance politike dhe ushtarake shqiptaro-greke. Gjatë viteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u bë anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të saj. Mori pjesë në misionin diplomatik që zhvilloi delegacioni i Lidhjes në kryeqytetet e Fuqive të Mëdha, në pranverën e vitit 1879, për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve dhe të tërësisë territoriale të Shqipërisë. Pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit, u burgos për disa kohë. Akti i fundit që dihet për veprimtarinë e tij atdhetare, është memorandumi i vitit 1888, drejtuar kryeministrit italian Françesko Krispit, që mban nënshkrimin e tij dhe të Abdyl Frashërit. U nda nga jeta në Berat, më 1895. (Në fotografi: Mehmet Ali Vrioni)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2923.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Mehmet_Ali_pash%C3%AB_Vrioni
Përpunim grafik: AHCF




