Në Tiranë lindi Xhemal Ali Pazari, veprimtar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Rrjedh nga një familje atdhetare e vjetër klerike, sekti Halveti. U diplomua për teologji e filozofi në Universitetin e Al-Az’harit, në Egjipt. Xhemali ishte një patriot që bekoi ngritjen e flamurit dhe pavarësinë e Shqipërisë, më 26 nëntor 1912, në Tiranë. Më 1924 zgjidhet deputet dhe për më shumë se një dekadë ka qenë një ndër drejtuesit kryesorë të Komunitetit Mysliman Shqiptar, ndërsa më 1924 ka qenë nënkryetar i Bashkisë së Tiranës. Më 17 shkurt 1948, Gjykata Ushtarake Tiranë e deklaroi fajtor “si pjesëmarrës në një grup kundërshtar” në Teqenë e Ali Sheh Pazarit, më të cilin ka “kryer aktivitet për rrëzimin e pushtetit popullor”. U dënua nga gjykata me 3 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme, si dhe humbjen e së drejtës elektorale për 3 vjet. Kur u dënua, ishte 83 vjeç. Forcat komuniste pushkatuan djalin e tij, Besim Pazari, dhe i sekuestruan pasurinë. E gjithë familja u përndoq me burgime, internime dhe dëbime. (Në fotografi: Xhemal Ali Pazari)
Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. VI, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2017, faqe 231.
Fotografia: © http://www.mediaelire.net/lajm/4129/xhemal-ali-pazari/
Përpunim grafik: AHCF




