Në Vlorë lindi Nexhat Hakiu, poetin lirik. Përfundoi shkollën e mesme tregtare në vendlindje dhe më vonë u diplomua në Institutin e Lartë Teknik të Selanikut. Në vitet ’30 –’40 të shekullit XX, ai ishte një nga emrat më të lakuar në rrethet letrare. Fillimisht punoi si gazetar dhe mësues i letërsisë e më pas u bë bashkëpunëtor i rregullt i organeve letraro-kulturore të kohës, si “Bota e re”, “Illyria”, “Përpjekja shqiptare”. Bashkë me emra të tjerë të dëgjuar të kulturës, si Mitrush Kuteli, Vedat Kokona dhe Sterjo Spasse, ishte ndër themeluesit e “Revistës letrare” (1944). Drejtoi revistën “Shkëndija” dhe gazetën “Bashkimi i Kombit”, në të cilat shkruante me pseudonimet Ali Dërvella e Nexhat Mahmut Hakiu. Krahas botimeve në shtypin e kohës, botoi vëllimet poetike “Këngët e zambares” (1939) dhe “Këngë gjaku” (1944). Pas çlirimit ka botuar përmbledhjet poetike “Këndoj” (1958), “Fjala ime” (1961), “Një lule mbolla” (1973) dhe “Në garë me stinët” (1977). Gjatë periudhës së komunizmit u dënua për motive politike, prej dhjetorit të vitit 1944 deri në korrik të vitit 1945, dhe nga shkurti i vitit 1951 deri në prill të vitit 1952. U nda nga jeta në moshën 61-vjeçare, më 18 qershor 1978. (Në fotografi: Nexhat Hakiu)
Teksti: Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”.
Fotografia: © http://www.panorama.com.al/
Përpunim grafik: AHCF




