Në Dibrën e Poshtme u zhvillua “Beteja e Torviollit”, beteja e parë e ushtrisë shqiptare, që u formua pas Lidhjes së Lezhës (1444), kundër ushtrisë osmane. Ushtria shqiptare komandohej nga Skënderbeu, kurse ushtria osmane komandohej nga gjenerali i njohur Ali Pasha. Skënderbeu fshehu në shpinë të armikut 3000 kalorës të komanduar nga Gjon Muzaka e Hamza Kastrioti, dhe la një rezervë të rëndësishme të komanduar nga Vrana Konti. Sulmit të ushtrisë osmane Skënderbeu iu përgjigj me një rendim të ri luftimi, që kishte në bazë bashkëveprimin e ngushtë ndërmjet kalorësisë e këmbësorisë. Brenda tri orëve, shqiptarët arritën ta fusin midis dy zjarresh, nga balli dhe shpina, ta rrethojnë dhe ta asgjësojnë ushtrinë e madhe osmane, e cila në këtë betejë la shumë të vrarë. Kjo fitore e parë e rriti besimin e shqiptarëve në forcat e tyre dhe autoritetin e Skënderbeut. (Në fotografi: Fotografi ilustruese “Skënderbeu në sulm.”)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 232.
Fotografia: © https://gazetavatra.com/perkujtojme-betejen-e-torviollit/
Përpunim grafik: AHCF




