Në Delvinë lindi Panajot Kanaçi, koreograf, Artist i Popullit. Në vitet 1950–1956 punoi si koreograf në Filarmoninë e Shtetit, ku interpretoi dhe rolet kryesore në baletet “Shatërvani i Bahçisarajt” (1951), “Esmeralda” (1953). Kreu studimet e larta për regjisor-baletmaestër në Institutin Shtetëror të Artit Teatror (GITIS) në Moskë (1956–1960). Në vitin 1960 realizoi disa nga vallet e tij të njohura, si: “Vallëzimi i shqipeve”, “Vallja e gështenjave” etj. Si udhëheqës artistik dhe baletmaestër i trupës së baletit të Teatrit të Operës dhe Baletit, krijoi koreografinë e disa veprave të njohura të repertorit botëror, ndërsa me koreografinë e baletit të parë shqiptar “Halili dhe Hajrija” (1963, muzika Tish Daija), u bë themelues i artit koreografik kombëtar. Me Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe të Valleve Popullore në Tiranë realizoi rreth 200 valle nga të gjitha krahinat e vendit, ndër më të njohurat e të cilave janë: “Festë të madhe ka Shqipëria”, fituese e “Gjerdanit të Artë” në Festivali Ndërkombëtar të Dizhonit (Francë, 1970). Panajot Kanaçi ishte pedagog në degën e koreografisë në Institutin e Lartë të Arteve dhe dha ndihmesë edhe në fushën e mendimit teorik të artit koreografik kombëtar. Ka marrë Çmimin e Republikës të Shkallës së Parë. U nda nga jeta në vitin 1996. (Në fotografi: Panajot Kanaçi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1104–1105.
Fotografia: © Agjencia Telegrafike Shqiptare
Përpunim grafik: AHCF




