Mbledhja e Mukjes

Lexo ngjarje:

2-3 gusht 1943. U organizua Mbledhja e Mukjes, mbledhje e delegacioneve të Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe të Ballit Kombëtar. Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar (i përkohshëm) në mbledhjen e tij të mbajtur në Labinot të Elbasanit në dhjetëditëshin e parë të muajit korrik 1943, vendosi t’i drejtojë udhëheqjes së Ballit Kombëtar një thirrje për mbajtjen e një mbledhjeje të përfaqësuesve të të dyja palëve, për të shqyrtuar marrëdhëniet midis tyre dhe për të përcaktuar qëndrimin që duhet të mbanin në situatat që përjetonte vendi. Kësaj organizate dhe të gjithë shqiptarëve, të çdo partie qofshin, u bëhej thirrje që të bashkoheshin në Frontin Nacionalçlirimtar dhe të angazhoheshin në luftën e armatosur kundër pushtuesve fashistë për çlirimin e vendit. Këshilli i Përgjithshëm shpallte parimet, të cilave do t’u përmbahej Fronti Nacionalçlirimtar i Shqipërisë. Bisedimet filluan në fshatin Tapizë. Delegacioni i Frontit Nacionalçlirimtar kryesohej nga Ymer Dishnica. Delegacionin e Ballit Kombëtar e kryesonte Mithat Frashëri. Vendimi më i rëndësishëm që u mor ishte ai që kërkonte përfshirjen e të dyja organizatave në luftë kundër pushtuesit, që, nëse do të realizohej, do të çonte në fuqizimin e luftës. Për formën e regjimit që do të kishte Shqipëria pas luftës, palët ranë dakord që kjo çështje të vendosej nga vetë populli, me zgjedhje të lira, pas çlirimit të vendit. Mbledhja vendosi krijimin e Komitetit të Shpëtimit të Shqipërisë, i cili do të drejtonte luftën dhe vendin deri në formimin e një qeverie që do të dilte nga zgjedhjet e lira të përgjithshme menjëherë pas çlirimit. Ndaj vendimeve që u morën në Mukje reagoi menjëherë udhëheqja e Partisë Komuniste Shqiptare. Me nismën e Enver Hoxhës, Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar anuloi marrëveshjen e arritur në Mukje. Shkak për anulimin e marrëveshjes shërbeu vendimi për krijimin e Komitetit të Shpëtimit të Shqipërisë, organizëm që do të drejtonte luftën dhe do të organizonte zgjedhjet pas çlirimit. Krijimi i Komitetit të Shpëtimit do të çonte në mënjanimin e në zhvlerësimin e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, që kishin udhëhequr deri atëherë luftën. Njohja e këtij vendimi nga udhëheqja e Partisë Komuniste Shqiptare donte të thoshte, që ajo të ndante udhëheqjen e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare me Ballin Kombëtar, edhe pse deri atëherë angazhimi i Ballit në luftë ishte i pakonsiderueshëm. Sipas Partisë Komuniste Shqiptare, Mbledhja e Mukjes nuk kishte të drejtë të krijonte një organizëm të tillë siç ishte Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë, që do të zëvendësonte Frontin Antifashist Nacionalçlirimtar. (Në fotografi: Moment nga Mbledhja e Mukjes.)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1665–1667.

Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Marr%C3%ABveshja_e_Mukjes

Përpunim grafik: AHCF 

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Ndrek Shkjezi

Lindi në Shkodër Ndrek Shkjezi, aktor, Artist i merituar.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img