Eqrem Çabej

Lexo ngjarje:

Në Gjirokastër lindi Eqrem Çabej, gjuhëtar, profesor, akademik, Mësues i Popullit. Në vendlindje mori mësimet e para. Kreu gjimnazin në Klagenfurt (Austri) dhe ndoqi studimet e larta për gjuhësi krahasuese indoevropiane dhe albanologji në Universitetin e Gracit e më pas në Universitetin e Vjenës, ku u diplomua si Doktor në filozofi (1933). Punoi si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkolla të mesme në Shkodër, Elbasan, Gjirokastër, Tiranë. Në vitin 1940 u mënjanua nga arsimi për shkak të përkrahjes së veprimeve antifashiste të nxënësve dhe u dërgua në Romë, ku punoi për atlasin gjuhësor shqiptar. U kthye në atdhe në vitin 1944. Punoi në Institutin e Shkencave dhe qe ndër pedagogët e parë të Institutit të Lartë Pedagogjik Dyvjeçar. Me themelimin e Universitetit të Tiranës rifilloi veprimtarinë mësimore si pedagog i lëndëve histori e gjuhës shqipe dhe fonetika historike e shqipes. Është një ndër anëtarët themelues të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe anëtar i presidiumit të saj. Punoi në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë deri në fund të jetës. Për afër një gjysmë shekulli Eqrem Çabej dha ndihmesa të rëndësishme, veçanërisht në arsimin e lartë dhe në gjuhësinë shqiptare. Hartoi tekstet e disa lëndëve kryesore, ishte bashkautor në një varg veprash kolektive. Veprimtaria e tij shkencore u shtjellua kryesisht në gjuhësi, por u shtri edhe jashtë saj, sidomos në folklor, etnografi, histori të letërsisë. Fusha themelore e tij ka qenë historia e gjuhës, e vështruar në aspektet e problemet më të ndryshme të saj. Vendin qendror e zënë studimet etimologjike dhe gjuha e autorëve të vjetër e botimi filologjik i veprave të tyre. Por mjaft peshë kanë edhe fonetika e gramatika historike e shqipes, historia e përgjithshme e shqipes me problemet e prejardhjes së saj, të marrëdhënieve me gjuhët simotra indoevropiane, me gjuhët ballkanike e me gjuhë të tjera. Ai argumentoi në mënyrë bindëse prejardhjen ilire të gjuhës shqipe e të popullit shqiptar, autoktoninë e tij në trevat ku banon sot, vuri në dukje rolin dhënës të shqipes ndaj gjuhëve me të cilat ra në kontakt dhe unitetin e kulturës materiale e shpirtërore shqiptare. Ndër veprat kryesore të tij janë: “Studime etimologjike në fushë të shqipes” (në shtatë vëllime, 1976–2006); “Meshari i Gjon Buzukut (1555)”, botim kritik në dy vëllime, i pajisur me një studim të gjatë hyrës (1958), “Studime për fonetikën historike të gjuhës shqipe” (1988). Me botimet e shumta edhe në revista gjuhësore të huaja, si dhe me pjesëmarrjet në forume shkencore ndërkombëtare Eqrem Çabej u njoh si autoriteti shkencor më në zë në albanologji. Vepra e tij është botuar në Kosovë nën titullin “Studime gjuhësore” (1976 e në vijim, deri tani nëntë vëllime). Eqrem Çabej ka marrë Çmimin e Republikës të Shkallës së Parë (dy herë) dhe është dekoruar me urdhrin “Nderi i Kombit”. U nda nga jeta në Romë, më 13 gusht 1980. (Në fotografi: Eqrem Çabej)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 369.

Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Eqrem_%C3%87abej

Përpunim grafik: AHCF 

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Ndrek Shkjezi

Lindi në Shkodër Ndrek Shkjezi, aktor, Artist i merituar.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img