U zhvillua “Masakra e Manastirit”, një ndër veprimet gjakatare më të pabesa të Portës së Lartë, të kryera në Shqipëri për të nënshtruar lëvizjen shqiptare për vetëqeverisje. Menjëherë pas vrasjes së Ali pashë Tepelenës, shumica e feudalëve të Shqipërisë së Jugut u hodhën në kryengritje për të arritur vetëqeverisjen e vendit. Veçanërisht gjatë luftës ruso-turke (1828–1829) ata arritën t’ua hiqnin nga duart pushtetin funksionarëve osmanë. Në këtë gjendje të rrezikshme për sundimin e saj në Shqipëri, Porta e Lartë, pas paqes së Edrenesë, ngarkoi kryeministrin Mehmet Reshid pashën që të merrte masa për t’i hequr kryengritjes udhëheqësit e saj më aktivë, Iljaz bej (Zylyftar) Podën, Asllan bej Puçen dhe Veli bej Jaçen. Sadrazemi i ftoi ata të vinin në Manastir, gjoja për të biseduar për çështje ushtarake dhe për pagesat e prapambetura të ushtarëve shqiptarë. Asllan beu dhe Veli beu, me një varg bejlerësh të tjerë dhe me truprojat e tyre, gjithsej afër 1500 veta, e pranuan ftesën. Zylyftar Poda, që e njihte urrejtjen e Sadrazemit ndaj shqiptarëve dhe pabesinë e tij, nuk shkoi. Pas pritjes së të ftuarve plot nderime, u zhvillua një stërvitje e reparteve të rregullta të ushtrisë. gjatë së cilës, me urdhër, njëri prej tyre hapi zjarr. Veliu, Asllani e shumë të tjerë ranë të vrarë; pjesa tjetër u masakrua ose u kap rob. U vranë dhe u varën rreth 1000 veta, ndërsa 400–500 të tjerë u dënuan me burgim të përjetshëm. Masakra e Manastirit shkaktoi tronditje të madhe në Shqipëri e jashtë saj, njëkohësisht i shtyu feudalët e tjerë të bashkoheshin me kryengritjen e Mehmet pashë Bushatlliut (1831). Një masakër e ngjashme, por me përpjesëtime më të vogla, u bë po më 1830, në Janinë. (Në fotografi: Pamje e qytetit të Manastirit, shekulli XX.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1646.
Fotografia: © https://www.ballikombetar.info/masakra-e-manastirit/
Përpunim grafik: AHCF




