Në Tiranë lindi Hysen Bengu (Devolli), piktor, grafist e skenograf, Piktor i merituar. Devolli vlerësohet si themeluesi i skenografisë shqiptare dhe skenografi i parë i Teatrit të Operës dhe Baletit Shqiptar. Studimet e larta i kreu në Akademinë e Arteve të Bukura në Bukuresht, Rumani (1948–1952), në degën e skenografisë. Gjatë tridhjetë viteve si piktor skenograf në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë, Devolli ishte autor i më se 300 skenografive dhe kostumografive të pjesëve operistike e baleteve të huaja dhe shqiptare. Piktori Hysen Devolli në krijimtarinë e tij tërhiqet nga tema historike, por ai realizon edhe portrete të ndryshme, ndërmjet të cilave edhe të figurave të shquara të artit tonë dramatik. Në të gjitha veprat e realizuara prej tij, artisti Devolli është një piktor realist, një realizëm që synon drejt një estetizmi dhe ekuilibrash koloristikë brenda metodës së realizmit socialist. Piktori Hysen Devolli ka realizuar për shumë emisione të pullave postare filatelinë shqiptare. U nda nga jeta në vitin 2013. (Në fotografi: Vepra e Devollit “Vallja tiranase, 1999, vaj në kanavacë.)
Teksti: Ylli Drishti, 100 vjet Tirana në pikturë; 1920-2020, “Mediaprint”, Tiranë, 2020, faqe 98.
Fotografia: © Koleksioni privat “Shabani”
Përpunim grafik: AHF




