Në fshatin Gollomboç të Prespës (Korçë) lindi Sterjo Spasse, shkrimtar. Lindi në një familje me kombësi maqedonase. Kreu Shkollën Normale të Elbasanit (1932). Punoi si mësues në Gjirokastër, Voskopojë, Korçë e Tiranë; pas Çlirimit si inspektor në Ministrinë e Arsimit, më pas në Lidhjen e Shkrimtarëve, bashkëthemelues i së cilës ishte. Në vitet 1958–1960 studioi në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” në Moskë. Nga fillimi i viteve ’60 të shekullit XX, shkrimtar në krijimtari të lirë. Pas skicave e tregimeve të para të botuara në gazetat e kohës (“Shqipëria e re”, “Rilindja” etj.), në vitin 1934 dolën nga shtypi dy përmbledhje të tij, me tregime të prirjes kryesisht sentimentale (“Kurorë rinie”, “Në krahët e një femre”); një vit më vonë romani “Pse?!”, që u prit me entuziazëm nga publiku e kritika dhe më 1944, romani “Afërdita”. Në krijimtarinë e pasçlirimit të Sterjo Spasses gjeti reflekse të forta modeli letrar i realizmit socialist. Romani “Ata nuk ishin vetëm” (1952) u çmua për një kohë të gjatë si vepra kryesore e autorit. Në dy dhjetëvjeçarët e fundit të jetës Sterjo Spasse konceptoi ciklin e romaneve “Rilindasit” me temë Rilindjen Kombëtare Shqiptare: “Zgjimi” (1973), “Pishtarë” (1975), “Ja vdekje, ja liri” (1978), “Kryengritësit” (1983), “O sot, o kurrë!” (1987). Si romane historike të tipit klasik, këto vepra i shënjon vënia e ndodhive historike në qendër të rrëfimit, në dritën e të cilave zbulohen karakteret, zhvillimi i subjektit në disa rrafshe, moria e skenave, si dhe imtësitë e shumta etnografike. Bashkëthemelues i revistës “Normalisti” (1929–1937), Sterjo Spasse botoi edhe në organe të tjera shkrime të shumta për probleme të pedagogjisë e të arsimit, një pjesë e të cilave u përmblodhën në vëllimin “Reflekse pedagogjike” (1987). Me kontributet e tij në organet “Revista letrare”, “Literatura jonë” e “Nëntori”, në vitet ‘40–’50 të shekullit XX, Sterjo Spasse luajti një rol të dallueshëm në gjallërimin e jetës letrare shqiptare. Dha ndihmesë në hartimin e teksteve të letërsisë së huaj dhe letërsisë shqiptare për shkollat tetëvjeçare e të mesme. U nda nga jeta në Tiranë, në vitin 1989. (Në fotografi: Sterjo Spasse)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2377-2378.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Sterjo_Spasse
Përpunim grafik: AHCF




