Në Dukagjin lindi Ndrekë Luca, aktor i teatrit dhe i kinematografisë, Artist i Popullit. Në vitin 1950 filloi punën si aktor në Teatrin Popullor me rolin e Shpend Gjeto Plakut në dramën “Halili dhe Hajrija” të Kolë Jakovës. Ka luajtur një galeri rolesh nga vepra të letërsisë shqiptare e të huaja. Ndrekë Luca ka realizuar mbi 30 figura në kinematografi, që shquhen për karakterin e veçantë në llojin e tyre, si: Dom Marku (“Komisari i dritës”), Ndrioja (“Udha e shkronjave”), Gjini (“Plagë të vjetra”), Pjetër Mustaqekuqi (“Operacioni ‘Zjarri’”), Ramiu (“Dueli i heshtur”) etj. Ndrekë Luca ishte aktor me diapazon të gjerë interpretimi, që dinte të përshtatej në plane të ndryshme, sa komike, aq dhe tragjike, sa heroike, aq dhe të rëndomta; zotëronte mimikë tepër ekspresive, përdorte me saktësi gjestin e figurshëm, plastikën dhe mjete të tjera të njëmendësimit pamor të personazhit. U nda nga jeta në vitin 1993. (Në fotografi: Ndrekë Luca)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1542.
Fotografia: © https://mubi.com/cast/ndrek-luca
Përpunim grafik: AHCF




