Në fshatin Voshtimë lindi Pertef Pogoni, figurë e shquar e arsimit shqip. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Zosimea të Janinës (Greqi) dhe Mulqije të Stambollit (Turqi). Në vitet 1918–1920 merr detyrën e inspektorit të arsimit pranë prefekturës së Gjirokastrës. Në moshë relativisht të re, 30-vjeçare, emërohet Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit. Më 30 mars 1926, Institucioni i Lartë Francez, presidenti i Republikës Franceze, i akordon Pertef Pogonit Urdhrin e “Legjionit të Nderit”. Më 31 janar 1927, kryetari i republikës Ahmet Zogu i akordon Pertef Pogonit dekoratën “Kumandar i urdhërit të Skënderbeut”. Më 1929, largohet nga Ministria e Arsimit dhe emërohet drejtor i studimeve në shkollën ushtarake mbretërore në Tiranë. Në vitin 1933–1934 emërohet drejtor i Liceut Kombëtar të Korçës. Pas vitit 1934, Pogoni merr postin e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit. Gjatë viteve të luftës, shtëpia e Pogonëve u bë çerdhe e qëndresës së kryeqytetit. (Në fotografi: Dekorata “Komandant i Urdhërit të Skënderbeut”.)
Teksti: https://gazetadielli.com/
Fotografia: © Xhoxhi L., arkivi vetjak
Përpunim grafik: AHCF




