Imzot Ernest M. Çoba

Lexo ngjarje:

Në Laç të Vaut të Dejës, ku familja e tij, njëra prej më të vjetrave të Shkodrës, ishte vendosur në kohën e rrethimit të qytetit nga malazezët, lindi Imzot Ernest M. Çoba, klerik i lartë katolik, Sekretari i Përgjithshëm i Kryesisë së Kishës Katolike të Shqipërisë, Kryetar i Kishës Katolike të Shqipërisë (1957). Mësimet fillore e të mesme i kreu në Kolegjin Saverian e në Seminarin Papnor në Shkodër. Kreu studimet e larta për teologji e filozofi. Më 9 shkurt të vitit 1936 u shugurua meshtar nga delegati apostolik dhe administratori i Arkidioqezës së Shkodrës, Imzot Giovani della Pietra S. J., dhe pas dy ditësh mbajti meshën e parë. Shërbeu në detyra të ndryshme pranë Seminarit Papnor e si mësues i besimit ndër shkolla të qytetit (1938–1946). Më 19 mars 1936, u zgjodh ndihmësfamullitar i Shkodrës. Në vitet ’46 –’52 është provikar i Arkidioqezës së Shkodrës dhe famullitar i qytetit. Pas vdekjes së Imzot Gaspër Thaçit, arrestimit të Dom Mikel Koliqit dhe vdekjes së Dom Tomë Lacës, i ngarkohen të gjitha detyrat e shërbimit në Kishën Katedrale të Shkodrës. Më 21 janar 1952, u emërua ipeshkëv titullar i Midaeum-it: u shugurua më 20 prill të po atij viti nga Ipeshkvi i Pultit dhe nga Kryetari i Kishës Katolike të Shqipërisë, Imzot Bernardin Shllaku. Që prej kësaj kohe e deri më 9 nëntor 1956, kur vdiq Imzot Shllaku, kreu detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kryesisë së Kishës Katolike të Shqipërisë, kurse nga 9 nëntori 1956 deri më 21 mars 1957, atë të kryetarit të saj. Gjatë kësaj kohe, me ndihmën e së motrës, mbajti marrëdhënie të fshehta me Selinë e Shenjtë nëpërmjet Legatës italiane në Tiranë. Sa herë që e motra shkonte në Legatë për të marrë pensionin e të shoqit italian, dorëzonte edhe materialet e Imzotit të shkruara në letra cigaresh. Për këtë arsye u arrestua më 29 prill të vitit 1976. Plot një vit më vonë, më 29 prill 1977, Gjykata e Rrethit të Shkodrës, me akuzën “tradhti ndaj atdheut dhe agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”, e dënoi me 25 vjet të heqjes së lirisë, konfiskimin e pasurisë dhe heqjen e së drejtës elektorale për 5 vjet. Dënimin e vuajti në burgun e Tiranës, ku vdiq në mënyrë të mistershme, pas një injeksioni që iu bë në spitalin e burgut, më 8 janar të vitit 1980. (Në fotografi: Ernest Çoba)

Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. I, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2012, faqe 253–254.

Fotografia: © Xhoxhi L., arkivi vetjak

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Luftimet e Grykës së Llapushnikut

U zhvilluan Luftimet e Grykës së Llapushnikut.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img