Në Maqellarë të Dibrës lindi Fiqri Dine, ushtarak, veprimtar politik, ministër e kryeministër. Kreu gjimnazin në Dibër dhe vijoi studimet në kursin e aspirantëve në Shkodër e më pas në Akademinë Ushtarake të Vjenës. U kthye në vend dhe përfundoi kursin e xhandarmërisë, në Tiranë. U emërua komandant i batalionit shëtitës Krujë-Mirditë; më 1921, oficer me gradën nëntoger në Ushtrinë Kombëtare Shqiptare, më pas qarkkomandant në Mat e në Peshkopi. Gjatë Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924 mbështeti forcat qeveritare dhe, pas shtypjes së tij, u emërua në detyra të rëndësishme ushtarake, si komandant i Zonës së Pukës e më pas komandant i Zonës së Veriut. Në dhjetor 1928 u dërgua për studime në Torino. Në periudhën e monarkisë u emërua komandant i Grupit të Parë në Tiranë, komandant regjimenti në Berat dhe në vitin 1936, inspektor i ushtrisë pranë Oborrit Mbretëror. Në periudhën e pushtimit italian u emërua ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e Ekrem Libohovës (1943): në kohën e pushtimit gjerman qe kryeministër nga 18.07.– 28.08.1944. Në përfundim të luftës u largua nga vendi. U nda nga jeta në Belgjikë. (Në fotografi: Fiqri Dine)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 454–485.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Fiqri_Dine
Përpunim grafik: AHCF




