U nda nga jeta Lekë Matrënga (Luca Matranga, 1567–1619), klerik ortodoks i bashkësisë arbëreshe të Sicilisë. Është shkrimtari më i vjetër i arbëreshëve të Italisë dhe autori i librit të dytë të botuar në gjuhën shqipe (pas atij të Buzukut). Lindi në Horën e Arbëreshëve (it. Piana degli Albanesi, që në atë kohë quhej Piana dei Greci) afër Palermos, një fshat i themeluar prej arbëreshëve të ikur nga Shqipëria dhe nga Moreja (Greqi). Në vitin 1582 filloi studimet në kolegjin fetar të Shën Athanasit në Romë, por pas pesë vjetësh, për arsye shëndetësore, i ndërpreu studimet dhe u kthye në vendlindje, ku shërbeu si mësues i gjuhës dhe i kulturës greke dhe ku u shugurua prift në vitin 1601. Për nevojat kishtare të bashkëkombësve të vet përktheu nga italishtja në gjuhën amtare një katekizëm të shkurtër në formë pyetjesh e përgjigjesh. Ky katekizëm me titullin “E mbsuame e krështerë” u botua në Romë në vitin 1592. Vepra e Matrëngës ka një rëndësi të madhe për njohjen e një faze më të vjetër të të folmeve arbëreshe të Sicilisë. Ajo paraqet interes edhe për vjershën e shkurtër, që është gjurma e parë e vjershërimit shqip, të njohur deri sot. (Në fotografi: Lekë Matrënga)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1658.
Fotografia: © https://konica.al/2020/07/poezia-e-pare-shqipe-u-shkrua-nga-leke-matrenga/
Përpunim grafik: AHCF




