Në kampet e përqendrimit që krijoi Hitleri, u nda nga jeta Norbert Jokli (1877–1942), gjuhëtar austriak, indoevropianist, albanolog. Lindi në Bzenec të Moravisë, në vitin 1877. U diplomua për drejtësi në Universitetin e Vjenës dhe më pas për gjuhësi (1908). Filloi të studiojë shqipen si autodidakt më 1907. Punoi si kryebibliotekar në Universitetin e Vjenës, duke dhënë njëkohësisht mësim si pedagog i jashtëm për shqipen, baltishten etj. Me aneksimin e Austrisë nga Gjermania naziste (1938), u përndoq, u dërgua në një kamp përqendrimi, ku edhe vdiq. Norbert Jokli ia kushtoi tërë jetën e tij studimit të gjuhës shqipe nga shumë aspekte. Punoi sidomos në fushën e etimologjisë e të fjalëformimit historik, të marrëdhënieve të shqipes me gjuhë të tjera, për fonetikën e morfologjinë historike të saj. Si vëllime më vete arriti të botonte vetëm “Studien zur albanesichen Etymologie und Wortbildung”, Vjenë, 1911 (“Studime për etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes”) dhe “Linguistischkulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen”, Berlin – Lajpcig, 1923 (“Gjurmime gjuhësore e historiko-kulturore nga lëmi i shqipes”. Në punimet e tij Norbert Jokli trajtoi çështje të rëndësishme të historisë së jashtme e të brendshme të gjuhës shqipe, në veçanti hulumtoi problemin e burimit të gjuhës shqipe. Ai shqyrtoi marrëdhëniet e shqipes me gjuhët e lashta jogreke të Ballkanit, me ilirishten e trakishten dhe shtjelloi tezën e tij të prejardhjes së gjuhës shqipe, duke u përpjekur të bëjë një sintezë të tezave ilire e trake. Norbert Jokli i kushtoi vëmendjen më të madhe elementit vendës, në radhë të parë elementit trashëgimor indoevropian. Rishikoi mjaft etimologji dhe hodhi dritë mbi prejardhjen e shumë fjalëve të shqipes, duke provuar burimin vendës të mjaft elementeve të mbajtura si huazime. Vizitoi Shqipërinë në vitin 1937, me rastin e 25-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. (Në fotografi: Norbert Jokli)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1068–1069.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Norbert_Jokl
Përpunim grafik: AHCF




