Lindi në Kaninë të Vlorës Isuf Luzaj. Shkollën fillore e kreu në Vlorë, ndërsa gjimnazin në Shkodër. Në vitin 1933 u regjistrua në Universitetin e Sorbonës në Paris, por për shkaqe ekonomike i ndërpreu studimet e tij. Në vitin 1936 u kthye në Shqipëri, për të punuar si mësues i gjuhës frënge në Elbasan e në Korçë. Nga viti 1940 deri në vitin 1941, u burgos në Itali, por më pas u kthye në Shqipëri, ku u dallua për luftën e tij ndaj trupave fashiste, rezistencën antikomuniste të Ballit Kombëtar, si dhe kontributin në themelimin e Partisë Social-Demokrate në Shkodër, Tiranë e Vlorë së bashku me Musine Kokalarin, Skënder Muçon etj. Më 1944 largohet nga Shqipëria drejt Italisë, ku akuzohet për vrasje dhe qeveria komuniste kërkoi ta riatdhesojë, me qëllim që ai t’i nënshtrohej “gjyqit të popullit për krime lufte”. Në vitin 1948 u largua në Argjentinë, ku punoi në Ministrinë e Arsimit si përkthyes dhe në 1957, u diplomua në letërsi dhe filozofi. Gjatë periudhës 1960–1970 mbajti poste të rëndësishme, si drejtor i Institutit Francez “La France à l’étranger”, si këshilltar i Ministrisë së Arsimit në Argjentinë, si profesor i filozofisë dhe gjuhës frënge në Universitetin e Nju-Hampshajërit, shef katedre në po të njëjtin universitet, Drejtor i Përgjithshëm i Gjuhëve të Huaja në Barat College-Lake Forest, Illinois si dhe shef katedre në Universitetin e Indianas. Isuf Luzaj ndërroi jetë në 25 nëntor 2000, në Çikago. U vlerësua me tituj të rëndësishëm, si: “Professor emeritus” në SHBA, dorëzuar nga presidenti Ronald Regan; me medalje “Për shërbime të jashtëzakonshme akademike” në SHBA dhe medalje ari nga Universiteti i Buenos-Ajresit. Më 19 qershor 2017, Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani i akordoi dekoratën “Nder i Kombit”. (Në fotografi: Isuf Luzaj)
Teksti: Muzeu Historik Kombëtar
Fotografia: © https://ata.gov.al/
Përpunim grafik: AHCF




