Në Shkodër, u nda nga jeta Hilë Mosi (1885–1933), poet, gazetar, shkrimtar, përkthyes, deputet, prefekt, ministër Arsimi, drejtor i përgjithshëm i Sigurimit Botor. Në vitet 1904–1908 kreu një shkollë për mësues në Klagenfurt (Austri). Ishte pjesëmarrës i Kongresit të Manastirit (1909) dhe anëtar-veprimtar i Komitetit të Kryengritjes së Malësisë së Veriut (1909–1912). Luftoi me armë në dorë, ngriti shoqëri patriotike e klube, drejtoi disa organe, si: “Shqipëtari” (Stamboll, 1909–1910), “Shqypnija e re” (Shkodër, 1913–1914), “Agimi” (Shkodër, 1919) etj., duke u dalluar me veprimtarinë propagandistike në të mirë të çështjes kombëtare e përparimit të vendit. Shkrimet dhe vjershat e tij të para u bënë të njohura që më 1910, me pseudonimet Zog Sokoli, Liriasi etj. Ka botuar disa përmbledhje me poezi, ndër të cilat: “Zani i atdheut” (1913), “Lotët e dashtunisë” (1915) etj. (Në fotografi: Hilë Mosi; Letra e vitit 1928, ku Mosi i drejton letrën Ahmet Zogut, të cilit i shkruan mbi shkeljen e rregullave gramatikore në gjuhën shqipe, si dhe mbi masat që duhen marrë për drejtshkrimin e saj.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1765.
Fotografia: © Arkivi Qendror Shtetëror
Përpunim grafik: AHCF




