Në Stamboll u botua “Alfabetarja e gjuhës shqipe”. Tirazhi i këtij botimi ishte dy mijë kopje. Libri përbëhet prej 131 faqesh. Në dhjetë faqet e para jepet alfabeti i krijuar nga Sami Frashëri, si dhe mënyra e formimit të rrokjeve dhe fjalëve shqip. Në të janë përfshirë shkrime të Sami Frashërit, të Jani Vretos, të Pashko Vasës dhe të Koto Hoxhit. “Alfabetarja e gjuhës shqipe” është një tekst në të cilin përfshihen disa lëndë, si: gramatikë, histori, aritmetikë, edukatë shoqërore dhe morale. Kjo vepër përbën një prej gurëve themeltarë në procesin ripërtëritës dhe ripërcaktues të gjuhësisë shqiptare. Në të trajtohen problemet më themelore të kohës, si ato politike, ideologjike, kulturore e arsimore, që i kishte shtruar për zgjidhje Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878). (Në fotografi: Alfabetarja e gjuhës shqipe.)
Teksti: Muzeu Historik Kombëtar
Fotografia: © Xhoxhi L., arkivi vetjak
Përpunim grafik: AHCF




