Në katedralen e kishës së Shën Kollit në qytetin e Lezhës, ku sot gjendet memoriali i Gjergj Kastriot Skënderbeut, u mbajt “Lidhja e Lezhës”, bashkimi i parë politik mbarëshqiptar i njohur në historinë e Shqipërisë. Në Kuvendin e Lezhës morën pjesë princa të shquar shqiptarë, midis të cilëve ishin Gjergj Araniti, Andrea Topia, Nikollë Pal Dukagjini, Teodor Muzaka i Riu (dhe pjesëtarë të tjerë të kësaj familjeje), Lekë Zaharia, Lekë Dushmani, Gjergj Stres Balsha, P. Spani, si dhe përfaqësues të malësive shqiptare; mori pjesë edhe sundimtari i Malit të Zi, Stefan Cernojeviç. Lidhja e Lezhës u krijua me vullnetin e sundimtarëve të vendit, të cilët, duke nxjerrë mësim nga përvoja e së kaluarës, përpara rrezikut që u kërcënohej nga pushtimi osman, lanë mënjanë divergjencat dhe vendosën bashkimin e forcave politiko-ushtarake dhe ekonomike të vendit. Për këtë qëllim, Lidhja e Lezhës mori masa për krijimin e një ushtrie të përbashkët dhe të një arke lufte, si organe të veta; ajo e shpalli Skënderbeun kryetar të saj, komandant epror të ushtrisë. Ushtria do të përbëhej nga repartet e rekrutuara në zotërimet e secilit prej anëtarëve të Lidhjes, të cilët do të mbanin komandën e këtyre reparteve dhe do të jepnin një kontribut në të holla për mbajtjen e ushtrisë. Si në arkën e luftës, ashtu edhe në ushtri, principata e Kastriotëve jepte kontributin më të madh. Në Lidhjen e Lezhës secili prej pjesëmarrësve ruante autonominë e vet politike; Skënderbeu, si kryetar i saj, nuk kishte të drejtën të ndërhynte në zotërimet e sundimtarëve të tjerë. Megjithatë, caktimi i një udhëheqësi politik e ushtarak unik ishte një hap që ndihmonte për kapërcimin e përçarjes feudale. Mjetet e bashkuara të Lidhjes së Lezhës dhe komanda unike krijuan kushte më të mira për organizimin e mbrojtjes së vendit. Konsolidimi i Lidhjes së Lezhës, falë edhe mbështetjes së fuqishme të popullit, i dha Skënderbeut, si udhëheqës i saj, mundësinë që t’u bënte ballë me sukses situatave të vështira të një lufte të gjatë, e cila u zhvillua nganjëherë në dy fronte, kundër osmanëve dhe kundër Venedikut, si dhe në kushtet e shkëputjes së disa anëtarëve prej Lidhjes së Lezhës. (Në fotografi: Pamje imagjinare (ilustruese) e Kuvendit të Lezhës, 1444.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1509–1510.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Lidhja_e_Lezh%C3%ABs
Përpunim grafik: AHCF




