Në Shën Mitri (San Demetrio Corone), në provincën e Kozencës, lindi Franco Azzinari, piktor arbëresh me famë botërore. Pas vdekjes së prindërve, në moshën 14-vjeçare largohet nga Kalabria. Kështu fillon edhe rrugëtimi i formimit të tij për një kohë të gjatë e në vende të ndryshme të Evropës. Për disa vjet jeton në Paris, ku mahnitet prej piktorëve të mëdhenj impresionistë, si Gogen, Van Gog dhe Monet, artistë që patën ndikim thelbësor në formimin e tij. Për të siguruar jetesën në Francë, nisi të bënte portrete turistësh në rrugë. Në vitin 1973 u vendos në Lerici, Liguria, ku në vitin 1974 hapi ekspozitën e tij të parë personale në galerinë “La Cattedrale”. Në vitin 1992, gjatë një vizite në Kubë, rigjen te personazhet, peizazhet, vendet dhe ngjyrat, tokën e tij të origjinës. Ka udhëtuar shumë në Azinë e Largët, Afrikë, Kubë e Brazil, ishujt Sejshell, duke sjellë personazhe të veprave, si ato të Heminguejit apo të mitologjisë greke. I magjepsur prej Ernest Heminguejit, ecën në gjurmët e shkrimtarit dhe pikturon vendet dhe personazhet që ai i donte fort, si në Kubë ashtu edhe në Kenia e në Tanzani. Shkoi në Greqi, ku u frymëzua nga mitologjia greke dhe realizoi një seri veprash që reflektojnë personazhet dhe peizazhet e vendit. Aktualisht jeton mes Italisë dhe Greqisë. (Në fotografi: Franco Azzinari)
Teksti: Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët
Fotografia: © Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët
Përpunim grafik: AHCF




