Në Korçë, në shtëpinë ku banonte patrioti Diamant Terpo, u çel Mësonjëtorja e parë shqipe, sot është “Muzeu Kombëtar i Arsimit”. Shkolla e Parë në gjuhën shqipe, ose siç thirrej atëherë “Mësonjëtorja e Parë Shqipe”, u çel me leje nga Perandoria Osmane. Patrioti korçar Diamant Terpo e dhuroi këtë banesë për shkollën shqipe. Mësonjëtorja shqipe e Korçës nuk varej e nuk financohej prej asnjë shteti a shoqërie të huaj. Ajo u hap, u financua e u mbrojt nga populli dhe nga shoqëritë shqiptare të mërgimit. Qysh ditën e parë, në këtë shkollë u regjistruan 35 nxënës. Numri i tyre erdhi duke u rritur dhe në vitin e dytë, arriti në 200. Ishte një shkollë fillore laike dhe kombëtare, ku gjithë mësimet jepeshin shqip. Turqishtja mësohej si gjuhë e huaj; më vonë, u fut edhe frëngjishtja. Si tekste mësimore përdoreshin ato që ishin përgatitur nga Naim Frashëri, Sami Frashëri etj., dhe që qenë shtypur e ishin dërguar pa shpërblim nga kolonia shqiptare e Bukureshtit. Çelja e shkollës kombëtare të Korçës ngjalli entuziazëm te patriotët brenda e jashtë atdheut. Poeti i shquar i Rilindjes, Naim Frashëri, duke përshëndetur Mësonjëtoren e çelur në Korçë, shkruante plot frymëzim: “Hapu, hapu errësirë, / Pa jakë tëhu o dritë! / Se arriti koh’ e mirë, / U gdhi nata u bë ditë… / Lumja ti, moj Korç’ o lule! / Qe i le pas shoqet e tua / Si trimi në ball’ u sule, / Ta paçim për jetë hua!”. Hapja e Mësonjëtores së Korçës u bë nxitje edhe për çeljen e shkollave të tjera në krahina të ndryshme të Shqipërisë. (Në fotografi: Pamje e jashtme e Mësonjëtores së parë, viti 1899.)
Teksti: Historia e popullit shqiptar – Vëll. II, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Toena”, Tiranë, 2002, faqe 251-252.
Fotografia: © Xhoxhi L., arkivi vetjak
Përpunim grafik: AHCF




