Në Prishtinë lindi Ahmet Gashi, veprimtar i lëvizjes kombëtare dhe i arsimit, gjeograf e historian, Mësues i Popullit. Në vendlindje mori mësimet e para. U diplomua për histori dhe gjeografi në Universitetin e Stambollit (1910). Që me ngritjen e departamentit të arsimit në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës, u emërua profesor në “Normalen” e Elbasanit, ku qe edhe drejtor në vitet 1927–1933. Mori pjesë si delegat në kongreset arsimore të viteve 1920 e 1922, ndërsa në Kongresin Arsimor të Tiranës (1924) u zgjodh kryetar i tij. Dha mësim edhe në institutin femëror “Nana Mbretneshë” në Tiranë (1933–1941) dhe ishte drejtoi gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë (1944). Në vitet 1945–1964 punoi mësues i gjeografisë në Tiranë. Njihet si autor i një vargu veprash shkollore në fushën e gjeografisë. Ka botuar tekstin “Gjeografia e Shqipnisë” për shkollat e mesme (1933, ribotuar më 1937 nën titullin “Shqipnia”) dhe “Gjeografia e përgjithshme” për shkollat e mesme (1935). Përpiloi dhe botoi disa harta gjeografike e historike. Është i pari gjeograf shqiptar i pranuar si anëtar i Shoqatës Gjeografike Amerikane (The National Geographic Society, Washington D.C.) më 1936. Ishte bartës i shumë mirënjohjeve dhe dekoratave. U nda nga jeta në vitin 1977. (Në fotografi: Ahmet Gashi)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 476.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Ahmet_Gashi
Përpunim grafik: AHCF




