Në Tiranë lindi Edi Luarasi, aktore, “Artiste e merituar”. U aktivizua në Estradën e Shtetit si këngëtare (1954–1957) së bashku me të motrën, duke u bërë të njohura si dueti “Motrat Mirdita”. Kreu shkollën e lartë për aktore “Aleksandër Moisiu” (1959–1963) dhe filloi punën në Teatrin Popullor. Aktore me temperament të fortë, me zë kumbues, e gjallë dhe plot energji, Edi Luarasi ka realizuar role që kanë mbetur në kujtesën e publiku, si: Lena në dramën “Doktor Aleksi” të Ibrahim Uruçit, Kordelia tek tragjedia “Mbreti Lir” e Shekspirit (1965), Cuca në dramën “Cuca e maleve” e Loni Papës (1967), Lea në dramën “Njollat e murrme” të Minush Jeros (1969). Fitoi medaljen e artë si aktorja më e mirë, me rolin e nënës në dramën e Minush Jeros “Të pamposhturit” (1971). Si prezantuese e Festivalit XI të Këngës në Radiotelevizion (1972), të kritikuar nga partia dhe si bashkëshorte e regjisorit Mihal Luarasi, që ishte dënuar me burg, më 1974-n Edi Luarasi u dërgua të punojë si rrobaqepëse, derisa doli në pension. Pas shndërrimeve demokratike, më 1991, luajti rolin kryesor, Kler Cahanasian, në dramën “Vizita e damës plakë” e Frederik Durrenmatit, që ishte një rikthim mallëngjyes në skenë dhe një sukses i saj. Gjatë periudhës 1993–2003 jetoi në Hungari pranë të shoqit. U rikthye në skenë me disa role të tjera, ku spikati ai i Nënës në dramën “Korbi i bardhë” e M. Luarasit. Edi Luarasi ka luajtur edhe në kinematografi, ku ra në sy me rolin e Afërditës në filmin “Ngadhënjim mbi vdekjen” (1967). U nda nga jeta në vitin 2021. (Në fotografi: Edi Luarasi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1538.
Fotografia: © https://alva.al/artiste-e-merituar-edi-luarasi/
Përpunim grafik: AHCF




