Në Peshkopi lindi Gani Strazimiri, piktor e arkitekt. Studimet e mesme i kreu për pikturë në shkollën e vizatimit në Tiranë dhe më tej filloi studimet për arkitekturë në Torino (Itali), të cilat i ndërpreu për shkak të Luftës së Dytë Botërore. U kthye në Shqipëri dhe mori pjesë si antifashist në ushtrinë partizane. Pas luftës, Gani Strazimiri kreu studimet për arkitekturë në Moskë (ish-BRSS) dhe ishte arkitekt urbanist, duke projektuar disa ndërtesa të rëndësishme në qendër të Tiranës, si: pallatet “Agimi” dhe pallatet “Shallvare”. Me krijimin e Institutit të Monumenteve të Kulturës, Strazimiri ishte drejtori i saj i parë. Nga viti 2007, ky institut mban emrin “Gani Strazimiri”. U nda nga jeta në Tiranë, në vitin 1993. (Në fotografi: Vepra e Strazimirit “Pazari i vjetër i Tiranës”, 1936, vaj në kompensatë.)
Teksti: Ylli Drishti
Fotografia: © https://www.documenta14.de/en/artists/16236/gani-strazimiri
Përpunim grafik: AHCF




