Koçi Xoxe

Lexo ngjarje:

Në fshatin Negovan (sot Flamburo) të prefekturës së Follorinës (Greqi), lindi Koçi Xoxe (1911–1949), veprimtar i lëvizjes komuniste dhe punëtore në Shqipëri, pjesëmarrës i luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, funksionar i lartë i Partisë Komuniste Shqiptare dhe i shtetit. Kreu gjimnazin në Selanik. U vendos në Korçë, më 1931, ku mori pjesë në organizimin e shoqërisë “Puna”. U lidh me grupin komunist të Korçës dhe u zgjodh në udhëheqje të tij. Mori pjesë në Demonstratën e Bukës të zhvilluar në Korçë, më 21 shkurt 1936 dhe ishte një nga organizatorët e demonstratave antifashiste të prillit 1939 në Korçë. Pjesëmarrës në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare, ku u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror Provizor dhe u ngarkua me organizimin e Partisë. Në verën e vitit 1942 u burgos nga fashistët, në Tiranë. Në Konferencën I të Vendit të Partisë Komuniste Shqiptare (17–22 mars 1943) u zgjodh anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar organizativ i Komitetit Qendror. Pas arratisjes nga burgu (verë 1943) u mor me organizimin e formacioneve partizane, sidomos të Brigadave I, IV, VIII, IX, XV dhe XX. Në Kongresin e Parë Antifashist Nacionalçlirimtar (Përmet, 1944) u zgjodh nënkryetar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar dhe iu dha grada gjenerallejtënant. Në mbledhjen e dytë të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar (Berat, tetor 1944) u emërua zv.kryeministër. Në Kongresin I të Frontit Nacionalçlirimtar (gusht 1945) u zgjodh nënkryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë, që u krijua aty. U caktua kryetar i Gjyqit Special (25 dhjetor 1944), i krijuar për të gjykuar bashkëpunëtorët e fashizmit dhe kriminelët e luftës. Në maj 1945 u emërua drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit (që më vonë u quajt Sigurimi i Shtetit). Deputet në zgjedhjet e dhjetorit 1945. Në qeverinë që doli nga këto zgjedhje, u emërua zv.kryeministër, ministër i Punëve të Brendshme dhe kryetar i Komisionit Kontrollues (mars 1946). Në Plenumin IX të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare (shtator 1948) dhe në Kongresin I të Partisë Komuniste Shqiptare (nëntor 1948) u akuzua për veprimtari projugosllave dhe për shkelje të rënda të ligjshmërisë; u shkarkua nga të gjitha funksionet që mbante në parti dhe në shtet. Në maj 1949 u dënua me vdekje dhe u pushkatua. (Në fotografi: Koçi Xoxe)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2939.

Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Ko%C3%A7i_Xoxe

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Xhemajl Fetahaj

Në luftimet e zhvilluara në Betejën e Koshares, u vra Xhemajl Fetahaj, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hero i Kosovës.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img