Nikollë Kaçorri

Lexo ngjarje:

Në fshatin Krej-Lurë (Dibër) lindi Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare. Kreu shkollën në Shkodër dhe vijoi studimet e larta teologjike në Itali. Në vitin 1893 u emërua famullitar në Durrës, ku shërbeu 20 vjet. Qysh në moshë të re mori pjesë në lëvizjen politike e kulturore kombëtare. Hyri në lidhje me at Shtjefën Gjeçovin, i cili gjatë viteve 1899–1905 shërbente në Laç (Sebaste) të Kurbinit. Kjo periudhë shënoi për të dy këta klerikë katolikë fillimet e veprimtarisë së tyre politike-kulturore kombëtare. Nikollë Kaçorri, nën ndikimin e Gjeçovit, mblodhi këngë popullore të Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut, madje edhe të Kosovës, në një vëllimth të titulluar “Canti albanesi popolari” (“Këngë popullore shqiptare”). Ky vëllimth dorëshkrim ka 49 këngë popullore epike me tematikë të larmishme. Krijoi lidhje bashkëpunimi me rrethet atdhetare të Tiranës, Matit, Dibrës, Durrësit, Malësisë së Mbishkodrës dhe Kosovës. Mbante letërkëmbim të rregullt me Ismail Qemalin, Abdi Toptanin, Sali Nivicën etj. Pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit (1908) dhe në Kongresin e Elbasanit (1909). Më 1909 u bë nismëtar i krijimit të klubit patriotik “Bashkimi” në Durrës. Mori pjesë në Kryengritjen e Përgjithshme të vitit 1912, si një ndër drejtuesit kryesorë të komitetit kryengritës në Krujë (me pseudonimin “Kunora”). Bashkëpunoi në lëvizjen kryengritëse në rrethet katolike të Kosovës, të Malësisë së Mishkodrës dhe të zonës së Mirditës. Për këtë veprimtari u arrestua nga autoritetet osmane dhe u dënua me burgim. Përfaqësues (delegat) i krahinës së Durrësit në Kuvendin Kombëtar të Vlorës (1912), që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Kuvendi e zgjodhi nënkryetar të Qeverisë së Përkohshme, e kryesuar nga Ismail Qemali. Më 1914 u largua nga Shqipëria. U nda nga jeta në Vjenë, në vitin 1917. Është dekoruar me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. (Në fotografi: Nikollë Kaçorri)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1086.

Fotografia: © https://twitter.com/simonindoc/status/1530723349093138434/photo/1

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Luftimet e Grykës së Llapushnikut

U zhvilluan Luftimet e Grykës së Llapushnikut.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img