Impresum

info@albanianheritage.al

18.5 C
Tirana
E mërkurë, 6 Maj, 2026

Themelimi i federatës “Atdheu”

Lexo ngjarje:

Në Vlorë u themelua federata “Atdheu” (1921–1922), organizatë politike, atdhetare e kulturore. U themelua nga Kongresi i bashkimit të gjithë shoqërive e klubeve patriotike e demokratike të vendit. Nismëtari dhe organizatori i Kongresit ishte Avni Rustemi. Në Kongres morën pjesë 45 delegatë, që përfaqësonin 21 shoqëri e klube nga 27 qytete dhe krahina të vendit, 110 intelektualë si dëgjues dhe 5 përfaqësues të shtypit. Kongresi vendosi shkrirjen e të gjitha shoqërive në një federatë me emrin “Atdheu”. Kryetar i saj u zgjodh Kolë Tromara dhe pas dorëheqjes së tij, drejtimi i federatës iu ngarkua Avni Rustemit. Gjithë shoqëritë e klubet e rretheve u shndërruan në degë të federatës “Atdheu”. Programi i federatës “Atdheu” shprehte vullnetin politik dhe kërkesat liberal-demokrate të qarqeve intelektuale të shoqërisë shqiptare. Federata “Atdheu” në programin e saj shpalli se me anën e arsimit, të fjalës e të shtypit do të punonte për t’i siguruar vendit përparimin ekonomik e shoqëror, do të përkrahte me të gjitha mënyrat nismën private dhe formimin e shoqërive tregtare e industriale, do të kujdesej për të përmirësuar gjendjen e mjerueshme të bujkut me themelimin e një banke bujqësore etj. Në statutin e federatës “Atdheu” deklarohej se ajo nuk do të merrej me veprimtari politike. Në të vërtetë, veprimtaria e saj ilegale kundër forcave konservatore politike të vendit ishte e ndjeshme. Në fillim federata “Atdheu” u përkrah nga parlamenti e qeveria, por më vonë, për shkak të veprimtarisë politike, ndaj saj nisi përndjekja. Me urdhër të qeverisë nëpunësit u ndaluan të merrnin pjesë në radhët e federatës “Atdheu”. Më vonë, në qershor të vitit 1922, qeveria mbylli me rrugë policore shumë degë të federatës, derisa në gusht 1922 ajo ndaloi veprimtarinë e saj. (Në fotografi: Kongresi i bashkimit kombëtar, i cili themeloi federatën “Atdheu”.)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 652.

Fotografia: © Arkivi Digjital Shqiptar

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Mehmet Delia

Në senatoriumin e Barit (Itali), u nda nga jeta Mehmet Delia (i njohur edhe si Mehmeti i Vogël, 1898–1946), luftëtar në lëvizjen kundër pushtimit serb dhe për bashkim kombëtar, pjesëmarrës në lëvizjen demokratike në viteve ’20 të shekulli XX.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img