Lindi në Boletin, afër Mitrovicës, Isa Boletini, i njohur si Isë Boletini, luftëtar e udhëheqës ushtarak popullor, organizator e drejtues i lëvizjes për çlirimin kombëtar, Hero i Popullit. Në moshën 17-vjeçare mori pjesë, si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në betejën e Slivovës kundër forcave osmane. Ndihmoi në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë e synimeve grabitqare të Serbisë dhe Malit të Zi. Më 1901–1902, u vu në krye të qëndresës popullore në Kosovë, kundër ndërhyrjeve të Serbisë, Malit të Zi dhe Austro-Hungarisë. Në vitin 1908 përkrahu revolucionin xhonturk, por iu kundërvu politikës antishqiptare të Xhonturqve. U dallua si udhëheqës e organizator i kryengritjeve të mëdha popullore kundërosmane të viteve 1908–1912. Udhëhoqi disa kryengritje kundërosmane në Drenicë-Mitrovicë, Shtime-Carralevë, Podujevë-Prishtinë etj. Në ditët e shpalljes së Pavarësisë u vu në krye të përfaqësuesve të Kosovës, si dhe u ndodh në krah të Ismail Qemalit në Vlorë, më 28 nëntor 1912. Në vitin 1913, si anëtar i delegacionit shqiptar, së bashku me Ismail Qemalin shkoi në Londër, ku kundërshtoi me forcë vendimet e Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë. Më vonë kaloi sërish në Kosovë, ku organizoi qëndresën popullore kundër pushtuesve të rinj serbo-malazezë. Duke kaluar jetën në luftë e përpjekje dhe me urtësinë e tij, fitoi autoritet si udhëheqës popullor. Isa Boletini u vra në një shkëmbim zjarri në Podgoricë, pasi u vranë 17 bashkëluftëtarët e tij. (Në fotografi: Isa Boletini; Vendimi i vitit 1974 për propozimin mbi dhënien e titullit “Hero i Popullit”.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 276–277.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Isa_Boletini
Përpunim grafik: AHCF




