U mbajt në Mërqinje të Lezhës, me përkrahjen e Papa Klementit XI, Kuvendi (Koncili) i Arbërit, një mbledhje e klerit katolik shqiptar. Kuvendi i Arbërit shqyrtoi gjendjen shoqërore dhe shpirtërore të besimtarëve, duke synuar që në Shqipëri të vërë në jetë porositë e Vatikanit, për t’i bërë ballë islamizimit të vazhduar të popullsisë. Ndër vendimet e para ishin edhe kërkesat për të hapur shkolla dhe për të botuar libra në gjuhën shqipe, të cilat u zbatuan gjatë shekujve XVIII e XIX, me disa botime fetare të bëra në dialektin e Shkodrës. Aktet e Kuvendit të Arbërit u shtypën si botim më vete në gjuhën shqipe, qysh më 1703. Ato kanë vlerë edhe si dokument gjuhësor me rëndësi. (Në fotografi: Pamje e jashtme e Kishës së Shën Gjonit, në Mërqinje.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1433.
Fotografia: © Xhoxhi L., arkivi vetjak




