Lindi patrioti Luigj Gurakuqi. Kreu Kolegjin e Shën Adrianit në fshatin arbëresh të Shën Mitrit (Itali) dhe studioi për mjekësi e biologji në Universitetin e Napolit. Ai ka një veprimtari të pasur letrare, publicistike, kombëtare dhe politike. Veprimtaria e tij filloi me poezi lirike dhe përkthime në gjuhën shqipe. Vijoi me botimin e teksteve të abetares në dy dialektet e shqipes. Shkroi artikuj në organet e shtypit shqiptar. Në vitin 1908, mori pjesë si nënkryetar i komisionit për njësimin e alfabetit, në Kongresin e Manastirit. Më 1911, ishte një prej hartuesve të Memorandumit të Greçës gjatë kryengritjes së malësorëve të Mbishkodrës të vitit 1911, i cili parashtronte një program të plotë të autonomisë së Shqipërisë. Ishte në Kuvendin e Vlorës për Shpalljen e Pavarësisë dhe u caktua ministër i Arsimit nga Ismail Qemali. Në vitin 1916, u caktua Drejtor i Përgjithshëm i Arsimit. Në vitin 1918, u zgjodh ministër i Arsimit dhe anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Luigj Gurakuqi u përfshi në Lëvizjen e Qershorit të vitit 1924 dhe u zgjodh ministër i Financave në qeverinë e Fan Nolit. (Në fotografi: Luigj Gurakuqi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 798–799.
Fotografia: © Muzeu Historik Kombëtar
Përpunim grafik: AHCF




