Lindi në Shkodër Lazër Mjeda (1869–1935), klerik katolik, themelues i shoqërisë kulturore “Agimi” dhe mbrojtës i çështjes kombëtare. Më 6 gusht 1891, u shugurua meshtar në Shkodër; shërbeu si famullitar në Plan, Pog e Mëgullë, në Pult. Më 20 janar 1901, u shugurua ipeshkëv i Sapës dhe qe ndër më të rinjtë për nga mosha. Si ipeshkëv ndërtoi shumë struktura kishtare, si dhe krijoi e ndërtoi shkolla, si: në Dajç, ku mësoi për pak kohë vëllai i tij, Dom Ndre Mjeda, i cili e administronte atë famulli kishtare; pastaj shkollën e Hajmelit të Iballës. Së bashku me të vëllanë Dom Ndreun, krijoi Shoqninë Letrare “Agimi” e cila botoi tekstet shkollore të asaj kohe. Më 1909, u emërua arqipeshkëv i Shkupit, hapi shumë shkolla nëpër fshatra dhe punoi për lulëzimin e fesë e të kulturës në atë krahinë. Gjatë kohës së shërbimit në Shkup dhe në Prizren, Lazer Mjeda ishte dëshmitar i krimeve serbe ndaj shqiptarëve dhe i dërgoi Vatikanit një raport të hollësishëm. (Në fotografi: Lazër Mjeda)
Teksti: https://www.vaticannews.va/
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Laz%C3%ABr_Mjeda
Përpunim grafik: AHCF




