Në Malëshovë të Përmetit lindi Sejfulla Malëshova (Lame Kodra, 1900–1971), veprimtar politik, poet, përkthyes dhe publicist. Kreu Kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër (Kalabri) dhe ndoqi studimet për mjekësi në Romë. Pas fitores së Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924, u emërua sekretar i përgjithshëm i qeverisë së kryesuar nga Fan S. Noli. Me rikthimin e Ahmet Zogut në pushtet, emigroi në Francë, më pas në Bashkimin Sovjetik (1925). Në Leningrad kreu Akademinë Ushtarako-Politike (1926–1927). U pranua anëtar i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik (1930–1932). Në verën e vitit 1943 u kthye në Shqipëri. U zgjodh anëtar i Byrosë Politike. Në maj 1944, u emërua anëtar i Komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar i ngarkuar me punët e Shtypit, Propagandës, Kulturës Popullore dhe Arsimit; në Qeverinë Demokratike u emërua ministër i Shtypit, Propagandës dhe Kulturës Popullore; më pas, ministër i Arsimit (24.03.1946). U bë nismëtar për thirrjen e Konferencës themeluese të Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë (7 tetor 1945) dhe u zgjodh kryetar i saj. Menjëherë pas çlirimit u shpreh për garantimin e pronës private e të iniciativës private, si dhe për marrëdhënie të mira edhe me Anglinë e me SHBA-në. Pikëpamjet e tij liberale ndeshën në kundërshtimin e udhëheqjes së Partisë Komuniste Shqiptare. Në plenumin V të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare (21 shkurt 1946) u përjashtua nga Byroja Politike dhe nga Komiteti Qendror, me akuzën për oportunizëm dhe devijim të djathtë. Në vitin 1947, u shkarkua edhe si ministër i Arsimit. Deri në vitin 1952 punoi në Institutin e Shkencave, ku mori pjesë në hartimin e fjalorit të parë rusisht-shqip (me Pashko Gecin), botuar në Moskë (1954). Pas një internimi trevjeçar në Ballsh, ku punoi si magazinier, jetoi i izoluar në Fier; atje e mbylli jetën në mjerim të plotë. (Në fotografi: Sejfulla Malëshova)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1605-1606.
Fotografia: © https://odeacademy.org/sejfulla-maleshova
Përpunim grafik: AHCF




