Federata “Vatra”

Lexo ngjarje:

Më 28 prill 1912, në Boston (SHBA) u themelua federata “Vatra”, shoqëri patriotike e emigrantëve shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës; një nga më të mëdhatë, më të rëndësishmet dhe më jetëgjata në diasporën shqiptare. Drejtuesi i parë i saj, në postin e sekretarit, u zgjodh Fan Noli. Organi i saj ishte dhe vazhdon të jetë gazeta “Dielli”. “Vatra” u organizua mbi parime demokratike. Ajo dhe organi i saj “Dielli” u bënë shprehës të aspiratave kombëtare e demokratike të emigrantëve dhe të gjithë popullit shqiptar në arenën ndërkombëtare. “Vatra” mbështeti luftën e tij për liri dhe për shpalljen e pavarësisë, si dhe zhvilloi veprimtari diplomatike të dobishme në momente me rëndësi historike për Shqipërinë. Kulmi i veprimtarisë së saj u shënua në vitet e Luftës I Botërore dhe gjatë periudhës së zhvillimit të Konferencës së Paqes në Paris (1919), kur “Vatra” veproi energjikisht për rinjohjen e shtetit shqiptar dhe sigurimin e tërësisë territoriale të tij. Hartoi memorandume, financoi dhe dërgoi delegacionet e saj në kryeqytetet e Fuqive të Mëdha, si edhe pranë Konferencës së Paqes. Në vitet 1920–1924, “Vatra” përkrahu përpjekjet e shqiptarëve për rindërtimin dhe demokratizimin e shtetit shqiptar. Ajo mbështeti Revolucionin Demokratik të Qershorit 1924 dhe veprimtarinë e qeverisë së Fan Nolit. Pas dështimit të Revolucionit, “Vatra”, me kryetar Faik Konicën, u bëri thirrje palëve për bashkim kombëtar dhe bëri zyrtare politikën e paanshmërisë. Por, shkallë-shkallë, ajo i dha mbështetje të plotë politikës së Ahmet Zogut, gjë që solli debat të gjatë në gjirin e saj, krijimin e fraksioneve të brendshme dhe pakësim të numrit të anëtarëve. Kriza e federatës “Vatra” u thellua edhe për mungesë të fondeve financiare. Nga vera e vitit 1936, deri në Luftën II Botërore vepruan paralelisht dy organizata “Vatra”, me dy gazeta “Dielli”, me qendër në Detroit dhe në Boston. Megjithatë vatranët bënë përpjekje të mëdha për të ruajtur organizatën e tyre, për afirmimin e shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare, për një lëvizje arsimore, kulturore etj. Federata “Vatra” e priti me indinjatë të thellë pushtimin fashist të Shqipërisë, dërgoi një varg protestash pranë Fuqive perëndimore, organizoi disa mitingje etj. Në përfundim të Luftës II Botërore në Shqipëri (1944), për hir të interesave kombëtarë “Vatra” mbajti qëndrim përkrahës ndaj qeverisë së Enver Hoxhës, mbështeti veprimtarinë për pranimin e Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, për mbrojtjen e integritetit të saj tokësor etj. Pas mesit të viteve ’50, “Vatra” filloi të bëhej kritike ndaj regjimit komunist në Shqipëri dhe hapi dyert pa rezervë për emigrantët politikë. Nga fundi i viteve ’80 kritikat e saj ndaj regjimit komunist në Shqipëri u bënë më të shpeshta e më të ashpra. Në vitet ’90 mbështeti proceset demokratike në Shqipëri. Në vitet ’80–’90 radhët e saj u shtuan me emigrantë të rinj nga Kosova dhe Republika e Shqipërisë. Bashkëpunoi gjerësisht me organizatat e emigracionit kosovar, dënoi dhunën e gjenocidin të ushtruar ndaj popullsisë shqiptare në ish-Federatën Jugosllave. Në të gjitha periudhat “Vatra” mbajti gjallë gjuhën dhe traditat kombëtare, zhvilloi veprimtari të shumta arsimore, kulturore, shkencore etj., shërbeu vazhdimisht si urë lidhëse midis popullit shqiptar dhe popullit amerikan. (Në fotografi: Vula e federatës “Vatra”.)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 652–653.

Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Federata_Panshqiptare_Vatra

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Agron Llaka

Lindi në Memaliaj Agron Llaka, aktor i humorit.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img