Më 22 prill 1865, në Luaras të Kolonjës lindi Petro Nini Luarasi, veprimtar i Rilindjes Kombëtare dhe i shkollës shqipe, publicist, Mësues i Popullit. Mësimet e para në gjuhën shqipe i mori kur ishte nxënës në shkollën e Qestoratit (Gjirokastër), nga mësuesi patriot Koto Hoxhi. Punoi mësues në fshatrat e Kolonjës, ku jepte fshehurazi edhe gjuhën shqipe. Atje përgatiti një grup shokësh për mësues. Më 1887, hapi në Ersekë shkollën e parë shqipe dhe më 1892–1893 hapi shkollat shqipe në krahinën e Kolonjës. Punoi drejtor dhe mësues i Mësonjëtores së parë Shqipe të Korçës (1893) dhe më vonë, i shkollës së Negovanit (1909–1911). Gjatë mërgimit në Amerikë (1904–1908), qe nismëtar i shoqërive patriotike “Malli i mëmëdheut” dhe “Pellazgu”, si dhe nismëtar i krijimit të komiteteve të fshehta “Për lirinë e Shqipërisë”. Mori pjesë si delegat në Kongresin e Dytë të Manastirit (1910). Bashkëpunoi me organet “Bashkimi i kombit” (Manastir, 1909–1910), ku ishte edhe redaktor; “Drita” (Sofje, 1907–1908), “Kombi” (Boston, 1908), “Iliria” (Selanik, 1909–1910). Në veprën “Mallkimi i shkronjave shqipe dhe çpërfolja e Shqiptarit” (Manastir, 1911), mbrojti të drejtat e popullit shqiptar për kulturën kombëtare, duke e quajtur dijen dhe kulturën “shpirtin e mëmëdheut”. Bënte thirrje për të begatuar gjuhën dhe kombin tonë me kulturë e qytetërim. Propagandoi dhe u përpoq për bashkimin e popullit në luftë për lirinë e Shqipërisë, “për të drejtën dhe mbarësinë”, siç shprehej ai. Për veprimtarinë patriotike, arsimore, shoqërore dhe propaganduese, u përndoq nga Xhonturqit dhe Patrikana e Stambollit. (Në fotografi: Petro Nini Luarasi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1539–1540.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Petro_Nini_Luarasi
Përpunim grafik: AHCF




