Në Pejë të Kosovës lindi Esat Myftari, diplomat, deputet, përkthyes, publicist dhe studiues politolog i marrëdhënieve ndërkombëtare. Pasi kreu dy vjet në Fakultetin e Drejtësisë në Beograd, u shtrëngua të braktisë studimet dhe të punojë një vit si gazetar në të përditshmen “Rilindja” të Kosovës. Më 1963 u arratis në Shqipëri, ku për disa vite shërbeu si arsimtar në Shëngjin të Lezhës. U arrestua më 1976, dhe me vendim nr. 73, datë 22 korrik 1976, Gjykata e Rrethit të Lezhës e deklaroi fajtor për “agjitacion e propagandë” dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë. U lirua më 1985 dhe deri në ardhjen e pluralizmit, punoi si punëtor në Fabrikën e Letrës, në Lezhë. Më 1992 u zgjodh drejtor i Drejtorisë së Diasporës pranë Ministrisë të Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Më vonë shërbeu si diplomat në Riad të Arabisë Saudite, derisa doli në pension. (Në fotografi: Esat Myftari)
Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. V, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2016, faqe 443–444.
Fotografia: © Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit
Përpunim grafik: AHCF




