Në Shkodër, u rrethua në shtëpinë e tij nga forca të shumta të policisë e të milicisë fashiste, Jordan Misja, veprimtar antifashist, pjesëmarrës në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, dëshmor. I plagosur u kap i gjallë. Pas dy muaj torturash, fashistët e varën në litar.
Jordan Misja lindi në Shkodër më 1911. Kreu shkollën e mesme në Manastir, dha provime plotësuese në Normalen e Elbasanit dhe filloi punën si mësues në fshatin Vrakë (Shkodër) e më pas në Dropull (Gjirokastër). Përqafoi idetë komuniste dhe u bë anëtar i grupit komunist të Shkodrës. Për shkak të veprimtarisë antifashiste të tij, u pushua nga puna, por më pas u caktua mësues në Pukë. Duke pasur prirje për pikturë, u regjistrua me korrespondencë në Akademinë e Arteve të Bukura, në Firence (1940), dhe dha provimet e vitit të parë. Jordan Misja është ndër karikaturistët e parë në fushën e temave politike e shoqërore. Më 25 korrik 1941, u arrestua për veprimtari antifashiste, por u lirua për mungesë provash. U bë anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare që me formimin e saj, u lidh ngushtë me Vasil Shanton, Vojo Kushin etj., duke marrë pjesë në veprimtari antifashiste. (Në fotografi: Jordan Misja)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1738.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Branko_Kadia,_Jordan_Misja_and_Perlat_Rexhepi
Përpunim grafik: AHCF




