Kuvendi i Përgjithshëm i krerëve shqiptarë i mbledhur në pllajën e Greçës, në perëndim të Selcës, në Malësinë e Madhe, miratoi dokumentin më të rëndësishëm të Kryengritjes së Malësisë së Mbishkodrës, të njohur me emrin “Memorandumi i Greçës”, i hartuar nga Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi. Është njohur edhe si “Libri i kuq” (për shkak të ngjyrës së ballinës së broshurës me të cilën u shtyp). Në hyrje të memorandumit (“Librit të kuq”) flitet për ndihmën që dhanë shqiptarët për të sjellë xhonturqit në fuqi. Memorandumi i Greçës parashtronte një program të plotë të autonomisë së Shqipërisë, ashtu siç ishte konceptuar ajo në platformën e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare qysh nga koha e Lidhjes së Prizrenit. Ky memorandum kishte një rëndësi të veçantë, sepse dilte nga gjiri i kryengritjes dhe në formulimin tij morën pjesë veprimtarët atdhetarë të krahinave të ndryshme të vendit e të kolonive shqiptare të mërgimit. Përmbajtja kombëtare e këtij memorandumi ishte një argument i fuqishëm për të kundërshtuar trillimet e qeverisë turke dhe të propagandës së shteteve fqinje që mohonin karakterin e vërtetë kombëtar të lëvizjes shqiptare dhe e paraqisnin kryengritjen e malësorëve si kryengritje fetare për ruajtjen e venomeve të vjetra lokale. Pranimi i kërkesave të Greçës, siç pohonte Ismail Qemali, do të ishte një fitore e nacionalizmit shqiptar. “Libri i kuq” iu dorëzua nga përfaqësuesit e kryengritësve ambasadorit turk në Mal të Zi, Sadredin Beut, që e pranoi atë pa dhënë ndonjë përgjigje. Për të pasur garancinë e Fuqive të Mëdha për plotësimin e kërkesave të tyre, një delegacion i kryengritësve, i përbërë nga Luigj Gurakuqi, Dedë Gjo Luli, Sokol Baci etj., ua dorëzoi Memorandumin e Greçës përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha, në Cetinë. (Në fotografi: Memorandumi i Greçës)
Teksti: Historia e popullit shqiptar – Vëll. II, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Toena”, Tiranë, 2002, faqe 450–453.
Fotografia: © Gazment Çitaku
Përpunim grafik: AHCF




