Në Elbasan lindi Ali Cungu, pedagog, një nga përkthyesit më të njohur nga gjuha shqipe në anglisht. Lindi në familjen e një qiraxhiu karvanesh. U shkollua në kolegjin “Robert” të Stambollit. Pas diplomimit, punoi për ca kohë si mësues në Elbasan dhe, më 1921, filloi punë në shkollën teknike “Harry Fultz”, në Tiranë. Në verën e vitit 1931 mbajti dy konferenca të rëndësishme për problemin shqiptar, në Institutin e Studimeve në Gjenevë. Pas shtetëzimit të shkollave të huaja dhe private (1933), filloi punë në Institutin Shqiptaro-Amerikan të Kavajës. Pa kaluar shumë kohë, u emërua nëndrejtor i tij. Me largimin e amerikanëve më 1939, u zgjodh drejtor i institutit. Pas pushtimit italian, u transferua, fillimisht si rektor i konviktit të gjimnazit të Tiranës, dhe më vonë si drejtor i Shkollës së Punës në Elbasan. Me mbarimin e luftës, si shumë intelektualë të tjerë të përmasave të tij, u burgos dhe, pa kurrfarë procedure juridike e me dëshmitarë të rremë, u dënua me shtatë vjet heqje lirie. Pas lirimit nga burgu, deri në vitin 1958, u dërgua në internim. U nda nga jeta në moshën 87-vjeçare. Sot emrin e tij dhe të të vëllait, Mahmud Cungut, e mban shkolla e mesme profesionale e gjuhëve të huaja në qytetin e Elbasanit. (Në fotografi: Pamje e gjimnazit gjuhësor “Mahmud dhe Ali Cungu”.)
Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. I, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2012, faqe 234-235.
Fotografia: © Gjimnazi gjuhësor “Mahmud dhe Ali Cungu”
Përpunim grafik: AHCF




