Lindi në Shkodër Filip Shiroka, poet dhe veprimtar i lëvizjes kombëtare. Që herët u shtrëngua të mërgonte nga vendlindja për shkak të pjesëmarrjes në ngjarjet e viteve 1878–1881. Jetoi në Egjipt e më pas në Liban, ku punoi si inxhinier hekurudhash. Botoi vjersha dhe artikuj të ndryshëm me pseudonimin Gegë Postriba. Filip Shiroka e nisi veprimtarinë letrare nën ndikimin e poetëve të kohës, sidomos të Leonardo de Martinos, por shpejt gjeti rrugën e vet, duke shkruar poezi të ndjera e plot lirizëm. Mik i Pashko Vasës e i Luigj Gurakuqit dhe bashkëpunëtor i afërt i Çajupit, Filip Shiroka e vuri artin e tij në shërbim të atdheut dhe të luftës çlirimtare kundër të huajit, i këndoi me përmallim vendlindjes, Shkodrës, natyrës së bukur shqiptare etj. Një varg poezish kumbuan si grishje e flaktë për t’u ngritur kundër skllavërisë osmane. Poeti, në emër të bashkimit të të gjithë shqiptarëve, pa dallim feje dhe krahine, në luftën për lirinë e atdheut, e ngriti me forcë zërin edhe kundër dasive fetare. Filip Shiroka ishte poet i vetvetishëm e me ndjenja të holla, të shprehura me një gjuhë të ëmbël e të pastër. U nda nga jeta në Liban, në vitin 1935. (Në fotografi: Filip Shiroka)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2460.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Filip_Shiroka
Përpunim grafik: AHCF




