Shpërtheu “Kryengritja e Ilindenit”, një kryengritje nacionalçlirimtare e popullsisë maqedonase të rretheve të Manastirit dhe të Trakës kundër zgjedhës osmane. Udhëhiqej nga Organizata e Brendshme Revolucionare e Maqedonisë VMRO, që luftonte për formimin e një Maqedonie autonome. Përveç maqedonasve, në kryengritje morën pjesë aktivisht edhe kombësitë e tjera të këtyre viseve, shqiptarët dhe vllehtë. Përfaqësuesit e tyre bënin pjesë në përpjesëtime të barabarta në organet e dala nga kryengritja. Një ndihmë të madhe dhanë atdhetarët shqiptarë, të cilët furnizuan kryengritësit me armë, ushqime e pajisje të tjera dhe i strehuan ata për t’i mbrojtur nga ndjekjet e ushtrive osmane. Kryengritjes së Ilindenit i dha dorë lëvizja e gjerë kundërosmane e shqiptarëve në Kosovë me epiqendër Mitrovicën. Kryengritja u shtyp nga ushtria osmane, në shtator të vitit 1903. (Në fotografi: Kryengritës maqedonas.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1369.
Fotografia: © https://shtegu.com/archives/18017
Përpunim grafik: AHCF




