Në Karpenisi të Greqisë u vra Marko Boçari, komandant suljot, hero i luftës për pavarësinë e Greqisë. Lindi në Sul të Çamërisë, në vitin 1790. Pas rënies së Sulit (1803) nën pushtetin e Ali pashë Tepelenës, hyri në shërbim të ushtrisë franceze në Korfuz, si komandant i një reparti suljotësh. Nën udhëheqjen e Noti Boçarit, xhaxhait të tij, Marko Boçari luftoi me zotësi në shërbim të Ali Pashës dhe mori pjesë në mbrojtjen e Janinës më 1821–1822. Pas shembjes së pashallëkut të Janinës dhe rënies së Sulit në duart e turqve (1822), u lidh me kryengritjen greke. U shqua për aftësi ushtarake në një varg betejash, pas të cilave luftëtarët e quajtën “Shqiponja e Sulit”. U emërua kryekomandant i Forcave Luftarake të Greqisë. U vra nga kapedani i Mirditës, Lleshi i Zi, kur po sulmonte kampin e ushtrisë së Mustafa pashë Bushatlliut pranë qytetit Karpenisi dhe u varros në Misolongj. Poeti anglez lordi Xhorxh Bajron mbajti një fjalim mbi varrin e tij. Poetë të mëdhenj evropianë, ndër të cilët edhe Viktor Hygoi, i kënduan trimërisë së Marko Boçarit në luftën për pavarësinë e Greqisë. Marko Boçari njihet edhe për fjalorin greqisht-shqip me 1494 fjalë, i regjistruar nga dora e tij në Korfuz, më 1809. (Në fotografi: Marko Boçari)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 269.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Marko_Bo%C3%A7ari
Përpunim grafik: AHCF




