U zhvilluan “Provokacionet e gushtit 1949”, sulme që ndërmorën forcat ushtarake greke kundër Republikës Popullore të Shqipërisë, në kohën kur në Greqi zhvillohej lufta civile, nën pretekstin se Shqipëria ndihmonte forcat kundërshtare greke. Më 2 gusht 1949, tri batalione greke, të mbështetura me artileri dhe aviacion, sulmuan befasisht territorin e Republikës Popullore të Shqipërisë. Sulmi u krye në sektorin e Bozhigradit (piramida 54–55) me një front prej 700–800 m gjerësi. Forcat greke hynë rreth 300–400 m në thellësi të tokës shqiptare dhe qëlluan me artileri fshatin Vidohovë. Pas 5 orë luftimesh të ashpra, forcat kufitare shqiptare sprapsën armikun deri në kufi dhe rivendosën gjendjen e mëparshme. Forcat greke vazhduan provokacionet ushtarake gjatë gjithë muajit gusht deri më 5 shtator 1949 në sektorin e Bozhigradit, Leskovikut, Bilishtit, Kapshticës, Konispolit etj., duke shkaktuar mjaft dëme në njerëz e materiale, por sulmet e tyre u sprapsën nga forcat shqiptare të kufirit. Këto sulme dështuan plotësisht. (Në fotografi: Bateri topash bombardojnë afër Bilishtit.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2118–2119.
Fotografia: © https://telegrafi.com/viti-1949-provokacionet-greke-dhe-tradhtia-e-madhe/
Përpunim grafik: AHCF




