Në Shkodër lindi Risto Siliqi, poet dhe publicist, atdhetar e demokrat. Vinte nga radhët e vegjëlisë qytetare. Që në moshë të re hyri në lëvizjen patriotike; ishte anëtar i Komitetit për drejtimin e Kryengritjes së armatosur të vitit 1911. Pas Shpalljes së Pavarësisë, më 1913, bashkë me Hilë Mosin nxorën në Shkodër gazetën “Shqypnia e re”, që mbrojti interesat e lëvizjes kombëtare dhe demaskoi synimet e fqinjëve. Pas dështimit të Revolucionit të Qershorit (1924) u tërhoq nga jeta politike. Veprimtarinë letrare Risto Siliqi e zhvilloi kryesisht në vitet 1905–1915, në shtypin e kohës, me një varg shkrimesh publicistike e krijimesh poetike. Më 1912 botoi librin “Pasqyra e ditëve të përgjakëshme”, kronikë e ngjarjeve të jetuara gjatë ditëve të Kryengritjes së Malësisë së Madhe. Nga këto ngjarje e mori frymëzimin për vjershat që i kushtohen heroizmit të popullit dhe figurave të njohura të luftëtarëve të lirisë. Në një varg krijimesh Risto Siliqi pasqyroi aspiratat shoqërore të shtresave popullore dhe zemërimin e tyre ndaj tradhtisë së krerëve feudalë. U nda nga jeta në vitin 1936. (Në fotografi: Risto Siliqi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2327–2328.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Risto_Siliqi
Përpunim grafik: AHCF




