U mblodh “Kuvendi i Dibrës” në qytetin e Dibrës, me nismën e Komitetit të Lidhjes Shqiptare për të dyja Dibrat dhe veçanërisht të kryetarit të saj, Iljaz pashë Dibrës (Qoku). Në kuvendin e posaçëm mori pjesë si përfaqësues i Lidhjes Shqiptare për mbarë Toskërinë (vilajetin e Janinës) Abdyl Frashëri. Kuvendi miratoi një rezolutë në trajtën e një memorandumi, të hartuar nga vetë Abdyl Frashërt. Rezoluta e Kuvendit të Dibrës përmbante po ato kërkesa që shtroheshin në programin e Komitetit të Stambollit dhe që ishin përfshirë në rezolutën e mbledhjes së Dibrës të 14 tetorit 1878, të përmbledhura në pesë pika: formimi i Vilajetit të Shqipërisë, pajisja e tij me nëpunës shqiptarë, zhvillimi i arsimit në gjuhën shqipe, zbatimi i reformave nga Kuvendi i Madh, përdorimi i një pjese të madhe të buxhetit për përparimin e arsimit dhe për ndërtime botore. Në rezolutë thuhej gjithashtu se kërkesat do t’i paraqiteshin, brenda 1 muaji, Portës së Lartë me anë të një delegacioni të përbërë nga personalitete të shquara të Shqipërisë, të cilët do të merrnin pëlqimin me shkrim nga të gjitha kazatë dhe sanxhakët shqiptarë. Në rezolutë theksohej vendosmëria e popullit shqiptar për të siguruar plotësimin e këtyre kërkesave. Rezoluta iu paraqit Portës së Lartë në fillim të shkurtit 1879, por ajo nuk e mori parasysh. Para mbledhjes së kuvendit Abdyl Frashëri u bëri thirrje banorëve të Dibrës që të linin mënjanë hakmarrjen dhe armët t’i drejtonin vetëm kundër armiqve të jashtëm që po rrezikonin pavarësinë e vendit. (Në fotografi: Delegatë pjesëmarrës në Kuvendi i Dibrës, 1878.)
Teksti: Historia e popullit shqiptar – Vëll. II, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Toena”, Tiranë, 2002, faqe 171–173.
Fotografia: © http://rrugaearberit.com/2019/09/07/kongresi-i-dibres-kongresi-i-zgjimit-te-ndergjegjes-sone-kombetare/
Përpunim grafik: AHCF




