Lufta e Përmetit

Lexo ngjarje:

1 – 6 korrik 1943

U zhvillua “Lufta e Përmetit”, goditje me përmasa të mëdha e forcave të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare kundër forcave italiane, ku morën pjesë batalionet partizane të qarkut të Korçës, Gjirokastrës e Beratit, me rreth 700 partizanë dhe disa dhjetëra vullnetarë të çetave territoriale, për asgjësimin e garnizoneve armike. Për drejtimin e luftimeve, më 28 qershor u krijua një shtab operativ me përfaqësues nga të tria qarqet. Armiku kishte një batalion dhe një kompani karabinierësh në Përmet, me rreth 600 veta, dhe një batalion në Kuqar, me rreth 400 veta, të gjithë të vendosur në rajone të fortifikuara. Goditjen kryesore forcat partizane e dhanë kundër garnizonit të Kuqarit, së bashku me forcat e batalioneve partizane “Ali Kelmendi”, “Themistokli Gërmenji”, “Hakmarrja” dhe me një pjesë të batalionit partizan “Riza Cerova”. Mbështetnin sulmin me zjarr (në bregun e majtë të Vjosës) çeta e Rrëzës së Përmetit dhe e çeta e Oparit. Partizanët sulmuan disa herë me radhë pozicionet e armikut, por armiku qëndroi me këmbëngulje, duke shfrytëzuar sidomos fortifikimet. Në Përmet garnizoni italian u mbërthye në kazerma, i goditur në çdo anë nga zjarri partizan. Armikut i erdhën përforcime te shumta nga Tepelena dhe nga Berati. Më 2 korrik, në grykën e Mezhgoranit u zhvilluan luftime të rrepta me një autokolonë që vinte nga Tepelena në ndihmë të garnizoneve të sulmuara. Në qafën e Kiçokut, vetëm më 5 korrik, me ardhjen e forcave të reja nga Berati, që krijuan një epërsi të madhe me rreth 2000 ushtarë, armiku mundi të çajë drejt Këlcyrës. Forcat partizane u tërhoqën nga Kuqari e Përmeti për t’iu shmangur rrezikut të asgjësimit. Humbjet e armikut ishin të mëdha: mbi 500 të vrarë, të plagosur dhe dëme të mëdha materiale. Armiku hyri në Përmet më 6 e 7 korrik dhe pasi e plaçkiti, dogji 177 dyqane, 125 shtëpi dhe 10 godina të administratës shtetërore. Ai dogji gjithashtu Këlcyrën dhe fshatrat buzë rrugës automobilistike. “Lufta e Përmetit” i tronditi thellë pushtuesit. Komanda e Armatës IX italiane në Shqipëri pohonte se veprimet luftarake gjatë boshtit Berat-Këlcyrë-Përmet dëshmonin për një ide të gjerë, për një përgatitje të kujdesshme, për një drejtim këmbëngulës dhe për një bashkërendim të qartë të aksionit. (Në fotografi: Pamje nga qyteti i Përmetit.)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1551–1552.

Fotografia: © https://www.tripadvisor.com/

Përpunim grafik: AHCF 

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Luftimet e Luzhnicës

Në Kosovë u zhvilluan “Luftimet e Luzhnicës” kundër forcave serbe në Bajrak të Luzhnicës (Kosovë).
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img