Në fshatin Zhur të komunës së Prizrenit lindi Remzi Ademaj, veprimtar, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmor. Që në fillim të viteve ’80 të shekullit XX emigroi në Perëndim. Në vitin 1985, gjatë kthimit për në Kosovë, u arrestua nga policia italiane dhe iu dorëzua autoriteteve jugosllave. Në verën e vitit 1986, Gjykata e Qarkut të Prizrenit e dënoi me 6 vjet burg, për veprimtari politike. Më 1995 u arrestua për të dytën herë dhe u dënua me 3,5 vjet burg, me akuzë për pjesëmarrje në formimin strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës për anën e Vërrinit. Në fillim të vitit 1998 u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Zonën e Drenicës. Më pas, nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u emërua në detyrën e komandantit të luftës në trevën e Verrinit. Mori pjesë në luftimet e zhvilluara në lagjen “Tusus”, në Hoçë të Qytetit e në rrethinën e Prizrenit. Në gusht të vitit 1998, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e emëroi zëvendëskomandant për Zonën Operative të Pashtrikut. Më 14 gusht 1998, me disa bashkëluftëtarë, gjatë rrugës nga Kleçka për në Vërri ra në pritat e forcave serbe, së pari në Tupec, pastaj në Vlashnjë dhe në Grazhdanik. Ra në përballje ushtarake me forcat serbe, në vitin 1998. (Në fotografi: Remzi Ademaj)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 8.
Fotografia: © https://prizrenisot.net/shaqir-totaj-neglizhimi-i-organizimit-tradicional-per-komandantin-remzi-ademaj/
Përpunim grafik: AHCF




