Pandi Raidhi

Lexo ngjarje:

Në Tiranë u nda nga jeta Pandi Raidhi, aktor i teatrit dhe i kinematografisë, Artist i Popullit. Lindi në Korçë, në vitin 1931. U aktivizua në lëvizjen teatrore amatore të qytetit dhe më pas në teatrin partizan, si pjesëmarrës i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në vitet 1948–1949, aktor në Teatrin Popullor. U kthye në Korçë dhe ishte ndër aktorët themelues të Estradës e të Teatrit “Andon Zako Çajupi” (1951). Ndër rolet e tij më të arritura në teatër janë: Argani te “I sëmuri për mend” e Molierit (1955), Volpone te “Volpone” e Ben Xhonsonit (1957), Sganareli te “Doktor pa dashka” e Molierit (1958), Bobçinski te “Revizori” e Gogolit (1959). Me rolin e xha Kasemit te drama “Këneta” e Fatmir Gjatës (1963) dhe atë të Thanasit te drama “Hijet e natës” e Vedat Kokonës (1964) u shfaq pjekuria artistike dhe aftësitë aktoriale të tij për interpretimin e figurave nga dramaturgjia shqiptare. Pandi Raidhi realizoi një varg figurash mbresëlënëse në skenë e në ekran. Me xha Bakon në komedinë “Zonja nga qyteti” të Ruzhdi Pulahës (1976), si dhe në filmin me të njëjtin titull, ai vijoi skalitjen e tipit të fshatarit shqiptar, të njeriut të mençur e optimist, që e ka shakanë në majë të buzës, por kurdoherë pa të keq e zemërbardhë. Në këtë hulli trajtoi edhe figura të tjera në kinematografi, si xha Ymeri (“Horizonte të hapura”), Agoja (“Yjet e netëve të gjata”), Mekja (“Krevati i perandorit”), Vasili (“Tokë e përgjakur”) etj. Loja e Pandi Raidhit dallohet për plastikën e zhdërvjelltë dhe të folurën fshatarake, për origjinalitetin skenik dhe natyrshmërinë deri në shëmbëllime të njëmendta gati natyrale të njerëzve. (Në fotografi: Pandi Raidhi)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2201.

Fotografia: © https://mubi.com/cast/pandi-raidhi

Përpunim grafik: AHCF 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Ndrek Shkjezi

Lindi në Shkodër Ndrek Shkjezi, aktor, Artist i merituar.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img