U zhvillua “eksodi i shqiptarëve”, një kthesë vendimtare në historinë e Shqipërisë. Në mbrëmjen e 2 korrikut 1990, i riu Ylli Bodinaku çau përmes murit të ambasadës gjermane në Shqipëri, me kamionin e tij tip “Skoda”. Në kamionin e tij ndodheshin gruaja dhe fëmijët së bashku me gjithsej 36 persona shokë dhe miq. Dhjetëra të tjerë vërshuan pas tij në ambasadë, përmes murit që ai rrëzoi. Ky lajm u raportua edhe në mediat e huaja, në të cilat personat e parë që hynë në ambasadën gjermane në Shqipëri, u cilësuan si heronj të demokracisë shqiptare. Ambasadori gjerman i asaj kohe, Werner Daum, hapi dyert e ambasadës në korrik të vitit 1990. Ai u tha punonjësve të tij, që para se të largoheshin, të linin dritat ndezur, dhe derën e ambasadës hapur. Më shumë se 3000 vetë qëndruan në ambasadën gjermane në kushte tejet të vështira pas ndërprerjes së ujit dhe furnizimeve me ushqime, në pritje të reagimit dhe vendimit qe do të merrte regjimi komunist. Më pas, mijëra shqiptarë, të cilët duke mposhtur frikën e një diktature 45-vjeçare u nisën nga qytete të ndryshme të Shqipërisë së bashku me fëmijët e tyre, vërshuan drejt ambasadave të huaja, pa qenë të vetëdijshëm se ky hap do të ndikonte në rrjedhën e ngjarjeve të mëvonshme në vendin tonë. Lajmi i dyndjes së njerëzve në ambasada nuk u raportua që në fillim. Pas rritjes së numrit të tyre në ritme të larta, nuk mbetej veçse raportimi i këtij lajmi, ku ata që ishin në brendësi të ambasadave u cilësuan si kriminelë. Data 2 korrik 1990 shënoi një nga momentet më të rëndësishme të një procesi, që zgjati deri në muajin dhjetor 1990, kur filluan demonstratat e studentëve që sollën dhe ardhjen e pluralizmit në Shqipëri. Dokumentet e shumta të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Komitetit Qendror dëshmojnë se forcat e policisë dhe strukturat e Sigurimit kishin dështuar në përpjekjet e tyre për t’i parandaluar dhe frenuar këto ngjarje, që lajmëronin rrëzimin e plotë të regjimit. Eksodi i madh i shqiptarëve i dha goditjen përfundimtare regjimit të egër komunist, duke bërë të mundur kështu ndryshimin e shumëpritur dhe ardhjen e lirisë. (Në fotografi: Shqiptarë brenda ambasadës gjermane.)
Teksti: Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”, Tiranë.
Fotografia: © https://lajme.rtsh.al/
Përpunim grafik: AHCF




